Aranit Hoxha, një ndër “3 tenorët” rrëfen artin nëpërmjet muzikës lirike

Aranit Hoxha, një ndër “3 tenorët” rrëfen artin nëpërmjet muzikës lirike

Postuar më 14:07 – 27 Maj 2014 nga Klajdi Musabelliu në Art, Kulture dhe Argetim, Lajme Nga Vendi

Tiranë, 27 Maj / ATSH – Klajdi Musabelliu / -Ai është padyshim një ndër zërat më të bukur e më të veçantë të muzikës klasike në vend, e një ndër solistët më të mire të kontigjentit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Sapo ka ardhur nga një ndër evenimentet më të rëndësishme në vend, siç është ai i quajtur “3 Tenorët”, i mbajtur me rastin e festë së luleve në Shkodër në datën 6 maj, ku Araniti ka performuar përkrah Kastriot Tushës, e Francesco Malapenes. 3 artistët janë pritur mjaft ngrohtë nga publiku vëndas, i cili nuk ka hezituar t’i rikthjë në skenë ata, duke i duartokitur thuajse pambarimisht.

Edhe pse nuk i pëlqen të flasë shumë, Araniti ka rrëfyer diçka për ATSH-në.

I lindur në qytetin e Tropojës, Araniti zhvendoset së bashku me familjen në kryeqytet në moshën 6 vjeçare, ku pikërisht që në atë moshë ai krijon edhe kontaktet e para me muzikën, dhe krijon një lidhje mjaft të ngushtë me të.

Në intervistën e dhënë ekskluzivisht për ATSH-në, ai rrëfen shkurtimisht rrugëtimin e tij që nga kontakti i parë, e deri tek pjesmarrja e “3 Tenorëve”.

Përpara se të flasim për eventin e suksesshëm “3 tenorët” do donim të dinim e të tregonim diçka më shumë për Arjanitin edhe për të gjithë ata që nuk e njohin! Ta nisim me kontaktin e parë me muzikën..

T’ju them të drejtën kontaktin e parë me muzikën e kam pasur që në moshën 4 vjeçare, pra që fëmijë zbulova që e doja atë. Ndërkohë që kur isha në klasën e 4-tërt, në Tiranë u zhvillua një festival organizuar nga QNK-ja dhe Drejtoria Arsimore, për fëmijët e shkollave të Tiranës, ku në të cilin u përzgjodha si një ndër zërat më të bukur, dhe fitova çmimin e tretë të zërave të rinj të shkollave të Tiranës. Vëndin e parë e fitoi kolegia Mariza Ikonomi, të dytin Era Rusi, dhe i treti isha unë (qesh). Pra kështu u vlerësua e inkurajua edhe ëndrra e pasioni im.

 

Më pas, si vijoi rrugëtimi juaj, apo përgjegjësia juaj e parë e më e madhe?

Që prej asaj kohe unë nuk ju ndava më muzikës. Kam marrë pjesë thuajse në çdo festival për fëmijë, e derisa arrita edhe tek “Festivali i Këngës Popullore” (në moshën 14 vjeç) me intepretimin e këngës “Bilbili i Malit”, dhe këtë e quaj edhe përgjegjësia e pare më e madhe. E thash këtë të fundit sepse festivali drejtohej nga mjeshtri i madh Ferdinand Deda, e sigurisht që të performoje përpara tij, nuk ishte e lehtë. Pas festivalit u bëra pjesë e Liceut Artistik Jordan Misja, ku në të cilin studiova kanto(zë tenor) nën drejtimin e Prof.Gaqo Çakos, e më pas vazhdova edhe studimet e larta në Universitetin e Arteve në klasën e Prof.Bajram Spahiut, ku u diplomova me nota maksimale dhe u përcaktova si një tenor me shtrirje vokale dhe me ngjyrë mjaft të bukur.

 

Si vazhdoi jeta juaj artistike, dhe ku e ushtroni profesionin tuaj aktualisht?

Jeta artistike ka qënë mjaft e ngjeshur që në Akademi.Numëroj mjaft pjesmarje në koncerte si brënda dhe jashtë vendit me Akademinë, Festivalet ‘Marie Kraja”, “Ura me 3 Harqe, paralelisht kam marrë pjesë thuajse në çdo koncert “3 tenorësh” si i ftuar në “Galanë e fundvitit”, të cilin e konsideroj si dritarja më e mirë për çdo këngëtar të muzikës lirike, dhe meqë më jepet rasti, dua të falenderoj shumë producentin e “3 Tenorëve”,  Edmond Tullumani, sepse nëpërmjet shfaqes së tij, ai i jep një mundësi të mire çdo të riu, dhe le të themi që cilido që është “Pagëzuar” tek “3Tenorët”, i ka hecur mjaft karriera më pas. Pra z.Tullumani është njeriu që pagëzon artistët nëpërmjet evenimentit të tij.

Ndërsa aktualisht u bë rreth 4 vjet që bëj solistin në Teatër, gjithashtu edhe në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Kam veshur edhe kostumin e të madhit Ibrahim Tukiçi, e cila ishte edhe ajo ishte një përgjegjësi mjaft e madhe dhe një ndjesi e veçantë.

 

Atëherë, sa është numri i roleve që keni intepretuar në skenë?

T’ju them të drejtën nuk i numuroj dot, sepse janë vërtetë shumë. Kam pasur realisht një jetë artistike mjaft të ngjeshur, si në krahun e akademisë, ashtu dhe në Teatër, edhe pse jam vetëm 27 vjeç.

Atëherë, t’i rikthehemi “3 Tenorëve” koncertit tuaj më të fundit. Kontakti me koncertin, eksperiencën, emocionet, dhe ndjesinë edhe të të luajturit përkrah Tushës e Malapenës?

Kontakin e kam pasur prej kohësh me koncertin “3 tenorët” sepe kam marrë pjesë 3 vjet rrjesht në atë eveniment. Kësaj here ndodhi ndryshe nga herët e tjera, sepse koncerti erdhi në datën 6 maj, pra ditën e luleve të cilën Shkodra e ka si traditë ta festojë mjaft bukur, e ku më mire se në Shkodër do të bëhe ajo festë e ai aktivitet. Publiku Shkodran e mirëpriti mjaft evenimentin, na ka duartokitur me “Biz”(na ka rikthyer në skenë) dhe na dhuroi emocione të veçanta.

Të intepretosh në krah të Mjeshtrit të Madh Kastriot Tusha si dhe Francesco Malapenës është një ndjesi ndryshe. Eksperienca e tyre e madhe është si një shkollë më vete për cilin do nga ne, të cilët edhe mësojmë ende nga ata.

 

Çfarë do të presim nga Araniti në të ardhmen?

Siç thotë edhe një fjalë e urtë popullore “Të jemi shëndoshë një herë” (qesh)./a.g/

 

Burimi: http://www.ata.gov.al/aranit-hoxha-nje-nder-3-tenoret-rrefen-artin-nepermjet-muzikes-lirike-117891.html

Related posts