80-vjetori i artistit të madh Gaqo Çako, koncert-spektakël në TKOB

80-vjetori i artistit të madh Gaqo Çako, koncert-spektakël në TKOB

Postuar më 18:17 – 23 Janar 2015 nga Klajdi Musabelliu në Art, Kulture dhe Argetim, Lajme Nga Vendi

TIRANË, 23 Janar / ATSH – Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit do të kremtohet nesër në mbrëmje ora 19:00 edhe festa e përgatitur me rastin e 80-vjetorit të artistit të madh Gaqo Çako.

Për të dëshmuar aktivitetin e pasur artistik të Gaqo Çakos, do të organizohet fillimisht një ekspozitë në hollin kryesor të TKOB.

Tenori i madh, Artist i Popullit është një nga yjet e skenës operistike shqiptare dhe asaj europiane dhe TKOB, pikërisht për këtë arsye ka organizuar këtë koncert festiv në këtë përvjetor të rëndësishëm, në të njëjtën skenë ku ai ka përçuar aq shumë emocione për publikun shqiptar.

Koncerti- spektakël që do të vendoset në skenë për nder të tij do të përmbajë pjesë nga operat që janë pjesë e repertorit të tij, ku gjithashtu do të interpretojnë edhe solistët e TKOB-së, kori dhe orkestra simfonike.

Në regjinë e Nikolin Gurakuqit, drigjent kori, Dritan Lumshi dhe dirigjent Edmond Doko, do të zhvillohet një mbrëmje artistike e pasur në program, përgjatë së cilës TKOB bën me dije se nuk do të mungojnë edhe surprizat, ku njëra prej tyre do të jetë edhe një performancë nga vetë Gaqo Çako, shoqëruar nga i biri Pirro Çako dhe tenori Kastriot Tusha.

 

/k.m//m.m/

Burimi: http://www.ata.gov.al/80-vjetori-i-artistit-te-madh-gaqo-cako-koncert-spektakel-ne-tkob-215071.html

Related posts